Ismaili: Do të krijojmë rripin e gjelbër, nga rrethi me flamur në Gërmi

28 shtator 2021 | 12:03

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka thënë se në planin e tij për Prishtinën është edhe krijimi i një rripi të gjelbër që ndërlidh lagjet me hapësirat e gjelbëra ekzistuese.

Në një konferencë për medie, ai ka prezantuar në detaje këtë plan.

“Gjatë krejt kësaj kohe, bujtjeve e diskutimeve të shumta me qytetarët, në secilën lagje të Prishtinës, kërkesa më e shpeshtë ka qenë krijimi i hapësirave të gjelbërta, krijimi i mundësive për ecje (për nënat, fëmijët, të moshuarit), fitnes, çiklizëm e lëvizje me trotinetë e mjete tjera të transportit që nuk përfshijnë automjetet. Unë e kam përmendë një statistikë befasuese edhe në disa raste tjera – sot, vetëm 1% e banorëve të Prishtinës përdorin biçikletat për transport, por 50% e tyre shprehen të gatshëm me i përdorë ato – nëse kishin me pasë kushte e siguri”, ka thënë ai.

Ismaili ka treguar se çka përfshin ky plan.

“Sot jemi në parkun Adem Demaçi për me zbulu një komponentë të programit tim për Prishtinën e Gjelbër, të cilën ne e kemi quajtur “Rripi i Gjelbër”. Çfarë do të bëjmë?
Ne parashohim krijimin e rripit të gjelbër të Prishtinës që ndërlidh lagjet me hapësirat e gjelbëra ekzistuese, si dhe me ato hapësira që do t’i krijojmë, e të cilat do të mirëmbahen me sistem efiçient të ujitjes. Qysh do ta realizojmë këtë? Dizajnimi i rripit të gjelbër, përfshirë mobilerinë urbane, ndriçimin, llojet e drunjve dhe të gjelbërimit që do të përdoren, duke krijuar një tërësi që shtrihet nga rrethi me flamur e deri në parkun e Gërmisë. Natyrisht, kjo do të bëhet përmes investimeve infrastrukturore”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë…