Ismaili e Hamza: Mjekët dhe infermierët do t’i marrin pagat me rritje
Ministri i Shëndetësisë (MSh), Uran Ismaili, i shoqëruar nga ministri i Financave (MF), Bedri Hamaza, kanë zhvilluar një takim me profesionistët shëndetësorë.
Të dy ministrat kanë folur për rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët dhe u kanë hequr atyre çdo dyshim se kjo do të ndodhë në fund të këtij viti.
“Sot jemi këtu që të ju sigurojmë se pagat do t’i merrni me rritje në fund të këtij viti. Jemi këtu që t’u heqim çdo dyshim që mund të keni rreth pagave”, ka thënë Hamza.
Ministri Bedri Hamza, ka thënë se Ismaili ka qenë një prej ministrave më të “vështirë” për të finalizuar buxhetin.
“Deri e kemi finalizuar buxhetin unë kam zhvilluar së paku pesë takime me ministrin Ismaili. Ai gjithmonë ka kërkuar paga më të mëdha për ju”, është shprehur ai.
Hamza ka përmendur edhe rritjen e buxhetit për 55 milionë euro në krahasim me vitin 2017.
Gjatë këtyre dy viteve, përmes rritjes së buxhetit janë blerë më shumë aparatura, më shumë barna dhe janë bëre më shumë investime nëpër spitale.
Tani, nga 30 dhjetori 2019, mjeku specialist në Kosovë, në vend të 600 eurove do të marrë pagë prej 1195 euro
Këto janë pagat më të larta në rajon: në Shqipëri mjekët specialistë paguhen 556 euro, në Serbi 667 euro, Maqedoni 700 euro dhe në Bosnje 718 euro.
Pagat më të larta në rajon do t’i kenë edhe infermierët në Kosovë në krahasim me ato të rajonit. Me ligjin e ri, infermierët kosovarë do të paguhen deri në 537 euro.
Ndërkohë në Shqipëri, një infermier paguhet 308 euro, në Serbi 343 euro, në Maqedoni 297 euro, ndërsa në Bosnje 306 euro./EO/