Ismaili: Është koha për punë e jo për fjalë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në Ditën Botërore të Shëndetit, ka thënë se kjo ditë e ka gjetur Kosovën me sfida të mëdha drejt reformave në shërbimet shëndetësore.
Ai ka thënë se është koha për punë dhe jo për fjalë.
“Dita Botërore e Shëndetit e gjen vendin tonë me sfida të mëdha drejt reformave në shërbimet shëndetësore. Prandaj, koha është për punë dhe jo për fjalë”, ka shkruar Ismaili në profilin e vet në “Facebook”.
Ai ka siguruar se shënimi i kësaj date në vitin tjetër, do ta gjejë Kosovën me infrastrukturë më të mirë shëndetësore, pajisje më moderne, furnizim shumë herë më të qëndrueshëm me barna, me staf profesional dhe kushte më të mira për personalin mjekësor dhe pacientët.
“Përkushtimi ynë do të jetë që të sigurojmë shërbime shëndetësore të njëjta dhe cilësore për të gjithë qytetarët tanë, kurdo dhe kudo që ata kanë nevojë. Askush nuk duhet të zgjedhë në mes të një shërbimi të mirë mjekësor dhe gjërave të tjera elementare në jetë, sepse secili prej nesh ka të drejtë të përfitojë nga shërbimet mjekësore pa u varfëruar duke i përdorur ato. Shëndeti është e drejtë njerëzore. Është koha për shëndet për të gjithë”, ka shkruar Ismaili.