
Ismaili: Hamza mund ta ndërtojë një koalicion qeverisës
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka refuzuar të flasë për vija të kuqe me LV-në, por përsëriti se preferojnë bashkëqeverisje me partitë tjera opozitare.
Ai ka thënë se pozicioni i PDK-së është i qartë dhe se besojnë se kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza mund ta krijojë qeverinë nëse këtë dështon ta bëjë LV-ja.
“Programi jonë dhe fushata jonë ka qenë përafruese dhe e hapur për të gjithë. Andaj, ideja e vijave të kuqe nuk do me thënë gjithnjë në kuptimin e koalicioneve, do të thotë në kuptimin e një diskutimi që mundet me ndodhë për diçka të caktuar, mirëpo kjo jo doemos sjell vija të kuqe për koalicion apo diçka të tillë. Nuk ka qenë ajo logjikë”, ka thënë ai, duke komentuar një deklaratë të mëhershme të Hamzës.
“Prandaj, si opozitë, kemi thënë, sa i përket formimit të qeverisë, i takon partisë e cila ka dalë e para, të krijojë, ta ketë aftësinë, bashkëpunimin, komunikimin, ta krijojë qeverinë. Në qoftë se nuk arrin, është obligim institucional i partisë së dytë që të ketë mundësi bashkëpunimi me partitë tjera”, ka thënë Ismaili.
Ismaili ka thënë se është i bindur se Hamza do të mund ta ndërtonte një koalicion qeverisës.
“Unë e kam bindjen që në qoftë se ka një paaftësi të partisë së parë për me realizuar qeverinë, unë kam një bindje që z. Hamza është një person mjaft i aftë për me e ndërtuar një koalicion që e ka në fokus atë që e ka premtuar: zhvillimin ekonomik, përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe mendoj që është një person që pranohet nga një shumicë e mjaftueshme në Kuvend atëherë kur i vjen rasti. Mirëpo, si me thënë, mos të bëjmë hop ende pa mbërri në atë pozicion”, është shprehur Ismaili pas takimit të përfaqësuesve të partive politike me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.