Ismaili: Individët që hyjnë në vetizolim t’i përkrahim si shoqëri e jo t’i stigmatizojmë
Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka kërkuar që të përkrahen të vetizoluarit për shkak të koronavirusit.
Ai ka thënë se ata kurrsesi nuk duhet të stigmatizohen. “Vetizolimi i këtyre individëve më shumë është masë mbrojtëse për neve sesa për ta. Solidaritetin e tyre ne duhet ta kthejmë me më shumë solidaritet”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Ismailit:
Një gjë më shumë rëndësi:
Në luftë me viruset ngjitëse, një ndër armët më të forta për të fituar janë dhembshuria, mirëkuptimi dhe ndihma për njëri-tjetrin.
Është tejet e nevojshme që individët që hyjnë në vetizolim t’i përkrahim si shoqëri e jo t’i stigmatizojmë.
Çdo njeri që këtyre ditëve ka pasur kontakt me ndonjë të dyshuar, që ka ardhur nga shtetet me rrezikshmëri të lartë infektimi, dhe vendos masa izoluese – është duke na bërë një shërbim neve dhe më të dashurve tanë.
Andaj mbështetja jonë private dhe publike është e nevojshme për të gjithë këta individë. Gatishmëria e tyre mund të rezultojë e suksesshme, vetëm nëse ne me mbështetjen tonë për ta të bëhemi pjesë e zgjidhjes së problemit.
Vetizolimi i këtyre individëve më shumë është masë mbrojtëse për neve sesa për ta. Solidaritetin e tyre ne duhet ta kthejmë me më shumë solidaritet.
Me ndjeshmërinë tonë ne mund të ndikojmë që frika nga stigma dhe turpi të mos përkeqësojmë edhe gjendjen e tyre psikologjike e shpirtërore. Prandaj ne duhet që gatishmërisë së tyre për vetizolim t’i duartrokasim dhe t’i japim mirënjohjen e dashurinë tonë.
Andaj për të gjithë të vetizoluarit – Faleminderit!
Në emrin tim, të Arizonës, fëmijëve të mi Omerit e Umës, e sidomos në emër të babait tim 82 vjeçar.
Ju kemi borxh!
/Epoka e re/