Ismaili: Kosova nuk do të blej më barna me çmime të fryera
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë gjatë interpelancës në Kuvend se prej që e ka marrë mandatin qeveritar, ka ndaluar blerjen e barnave nga buxheti i Kosovës me çmime të fryera siç ka ndodhur deri tani.
Ismaili ka deklaruar se i ka ftuar në dëgjim publik të gjithë përfaqësuesit e kompanive farmaceutike dhe u ka bërë të qartë se Republika e Kosovës nuk do të lejoj dhe nuk do të vblej më asnjë ilaç më shtrenjt sesa në tregun privat apo në shtetet fqinje.
“Nuk ka asnjë forcë që mund të më ndaloj ta zbatoj këtë vendim që kam marrë dhe Ministria që unë udhëheqë nuk do të lejoj më asnjëherë që barnat të blihen nga buxheti i shtetit me çmime të fryera”, ka thënë ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili.
Ai po ashtu ka përmendur një varg reformash që ka ndërmarrë në sistemin shëndetësorë, ndërsa ka kërkuar mbështetjen e gjithë deputetëve që ta mbështesin këtë reformë e cila sipas tij do të krijoj një bazë të qëndrueshme për të ardhmen e shëndetësisë.
Ismaili ka bërë të ditur se me ardhjen e tij në krye të Shëndetësisë e ka rritur buxhetin në mbi 200 milionë duke siguruar më shumë buxhet për furnizim me barna, investime kapitale dhe për punësimin e mbi 300 mjekëve e infermierëve në mënyrë që të ofrohen shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e Kosovës.
Ai tha po ashtu se në shëndetësinë kosovare është duke u reformuar edhe administrata e cila duhet të shërbejë për lehtësimin e punës së mjekëve.