Ismaili: Me transformimin e Kardiologjisë Invazive ruajmë shëndetin dhe xhepin e qytetarëve
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i shoqëruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kanë përuruar sot rinovimin e Kardiologjisë Invazive.
Gjatë kësaj vizite, ministri Ismaili ka thënë se pas një pune të madhe dyvjeçare, tani është transformuar tërësisht një nga shërbimet më të rëndësishme shëndetësore në QKUK.
“Kardiologjia Invazive e pajisur me aparaturë moderne dhe e rinovuar tërësisht për t’iu përgjigjur të gjitha shqetësimeve që qytetarët tanë kanë me zemër. E nisëm me shërbimin 24 orësh për kujdesin e zemrës, vazhduam me heqjen e listës së pritjes për stentim, vendosëm angiografin e ri dhe ja ku jemi sot në një klinikë të rinovuar të gatshme që të ofrojë kushte optimale për stentim, koronarografi dhe rehabilitim të pacientëve”, ka thënë ai.
Ismaili ka theksuar se është punuar shumë gjatë kësaj kohe që këtë shërbim që ka dëmtuar shëndetin dhe xhepin e qytetarëve ta rregullojnë dhe ta modernizojmë.
Ndërsa, drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu, ka thënë se QKUK-ja është duke ofruar shërbime mjekësore që ndoshta edhe në vendet e zhvilluara nuk i ofrojnë ato.