Ismaili nga karantina kërkon transparencë për vdekjen e 26-vjeçarit nga Gjilani
Anëtarët e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione e kanë vizituar Qendrën e Studentëve që është shndërruar në karantinë.
Me këtë rast, deputetja e PDK-së dhe nënkryetarja e këtij komisioni, Besa Ismaili, ka thënë se arsyeja e kësaj vizite është për të kuptuar nga afër qëndrimet e qytetarëve që janë të vendosur për karantinim dyjavor.
“Në kuadër të mandatit tonë si deputetë për mbikëqyrje parlamentare dhe duke qenë se tashmë rrethanat janë pak më të relaksuara për të realizuar vizita si këto, ne kemi ardhur në karantinë për të parë gjendjen e qytetarëve tanë, për të marrë edhe anën e tyre të tregimit dhe jo vetëm ato që kemi nga konferenca për shtyp nga institucionet. Kjo është detyra jonë dhe qëllimi pse kemi ardhur”, ka thënë ajo.
Më tutje, Ismaili ka folur për rastin tragjik të vdekjes së 26-vjeçarit, Agon Musliu, i cili dyshohet se është hedhur nga njëra nga ndërtesat e Qendrës së Studentëve, një ditë pas kthimit nga Gjermania.
“Rasti tragjik i Agon Musliut na bën qe ne në këto mjedise të qëndrojmë me dhimbje të madhe dhe të mundohemi të kuptojmë në tërësi të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te një situatë e tillë”.
“Arsyeja se pse jemi sot këtu dhe do të jemi edhe në instanca të tjera të institucioneve të drejtësisë duke përcjellë gjithë zinxhirin dhe hierarkinë komanduese është që duam të çkarantinojmë transparencën në të gjitha pikat që kanë funksionuar si qendra për preventiv dhe mbrojtje ndaj pandemisë”.
“Mendoj se informimi i drejtë është e drejtë e secilit qytetar, derisa trajtimi i barabartë i të gjithë qytetarëve është obligim kushtetues”, ka thënë ajo.
Ajo nuk ka dashur të tregojë nëse kanë marrë ndonjë informacion të ri ose nëse ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve që janë të vendosur në karantinë.
“Për momentin është herët të shpalosim çka do që ne kemi kuptuar, sepse është vetëm faza e parë e vizitave tona faktmbledhëse”, është shprehur Ismaili.