Ismaili: Pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria

05 korrik 2020 | 14:28

Ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka kërkuar që të rishikohen masat ndaj Covid-19 dhe të rriten testimet.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti dhe të parandalohet përkeqësimi i mëtejmë i gjendjes.

“Është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti. Marrë parasysh situatën e re, vdekjet e fundit dhe rritjen e numrave, duhet sa më shpejtë të rishikohen masat dhe të nisin veprime konkrete për ta ndalur këtë gjendje të rëndë dhe për ta parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të saj”, ka shkruar Ismaili.

Postimi i plotë i Ismailit:

Numri i të vdekurve dhe i të infektuarve me COVID-19 në Kosovë është duke u rritur frikshëm, situata në Klinikën Infektive është duke u rënduar, ndërsa pamjet e sotme me QKUK-në e rrethuar nga policët dhe lajmet e fundit që vijnë nga atje janë tejet shqetësuese.

Është urgjente që pandemia të trajtohet seriozisht nga Qeveria Hoti. Marrë parasysh situatën e re, vdekjet e fundit dhe rritjen e numrave, duhet sa më shpejtë të rishikohen masat dhe të nisin veprime konkrete për ta ndalur këtë gjendje të rëndë dhe për ta parandaluar përkeqësimin e mëtejmë të saj.

Nuk është e mjaftueshme vetëm rritja e kapaciteteve në spitale. COVID-19 ka mbingarkuar sisteme shëndetësore më të mëdha sesa sistemi shëndetësor i Kosovës. Duhet të investohet në testime, duhet të rishikohen masat dhe duhet të ketë një komunikim strategjik të vazhdueshëm. Në të kundërtën, e keqja e shkaktuar nga COVID-19 veç sa do të rritet.

Kjo fazë e çorientimit institucional në përballje me virusin duhet të pasohet me politika konkrete që na japin forcë kolektive për t’u ballafaquar me këtë pandemi të rrezikshme dhe me pasoja fatale për jetën e qytetarëve.

(M.K / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar në…