Ismaili: PDK-ja e ka të qartë mesazhin e qytetarëve, do të bëjmë opozitë
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka thënë se kjo parti e ka të qartë mesazhin e marrë nga qytetarët në zgjedhjet e djeshme parlamentare.
Ai ka thënë se PDK-ja do të bëjë opozitë “si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët”.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës, me votë të lirë, dëshmuan edhe një herë se vendi ynë ka ndërtuar institucione që organizojnë zgjedhje të shkëlqyeshme, shumë mbi nivelin e rajonit. PDK-ja e ka të qartë mesazhin, dhe për ta fuqizuar shtetin e demokracinë, do të bëjë opozitë, si udhëheqëse që përfaqëson qytetarët. Ne do të jemi në shërbimin e tyre të plotë. Shpresoj që institucionet të formohen sa më shpejtë”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet “Facebook”.
Ai ka falënderuar qytetarët dhe veçmas mbështetësit e PDK-së. Pas kësaj humbjeje, ai ka thënë se është e sigurt që PDK-ja do të jetë më e fortë.
“Faleminderit të gjithë qytetarëve për pjekurinë dhe korrektësinë e treguar në procesin zgjedhor. Në veçanti, mirënjohje të pafundme për të gjithë mbështetësit, votuesit dhe aktivistët e Partisë Demokratike të Kosovës, që me devotshmërinë e tyre të pashembullt mundësuan një fushatë të jashtëzakonshme. Pas këtij kapitulli, gjëja më e sigurt nga e gjithë kjo është se ne do të jemi vetëm më të fortë”, ka shkruar Ismaili.