Ismaili për fjalimin e Kurtit: Kosova me 95% për BE-në, përfundoi e sanksionuar, e izoluar dhe e përzënë nga BE
29 gusht 2023| 21:29
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka komentuar polemiken e kryeministrit Kurti me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.
Me anë të një postimi në Facebook, Ismaili ka rikujtuar akuzat e Kurtit ndaj qeverive të kaluara të Kosovës për hapat e ngadalshëm në antarësimin në strukturat euroatlantike.
“Albin Kurti e kishte bërë shprehi t’a thoshte kudo dhe shpesh se arsyeja që Kosova nuk po përafrohet dhe anëtarësohet në Bashkimin Evropian, ishte korrupsioni i lartë. Dhe se një qeveri e ndryshimit dhe me duar të pastra që do ta udhëheq ai do ta sjellë Kosovën në BE shumë shpejt. Çfarë do të ndodhte pas dy viteve nën pushtetin e Kurtit, pakkush do ta kishte menduar”, ka shkruar ajo.
“Realisht, Kosova me 95% mbështetje për anëtarësim në BE, përfundoi e sanksionuar, e izoluar dhe e përzënë nga BE dhe çdo instrument i saj”, ka shkruar Ismaili.