Ismaili: Për PDK-në, plani franko-gjerman i pamjaftueshëm në kuptimin se çka presim si shtet
Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se plani franko-gjerman është cilësuar si i pamjaftueshëm nga ta, teksa shtoi se shumë nga versioni duhet të ndërrohet e shumë gjera të shtohen.
Sipas Ismailit, PDK-ja e ka parë një version dhe atë në mënyrë shkarazi, teksa shtoi se s’kanë pasur mundësi ta kenë një version në duar.
“Ne e kemi paraqitur se është i pamjaftueshëm, është një bazë që ndoshta shumë nga ajo duhet të ndërrohet e shumë gjëra të shtohen dhe për neve është e papranueshme në qoftë se fillojnë të vijnë plane të ndryshme të cilat çdo ditë e më shumë na largojnë nga njohja”.
“Në nuk i dimë as vërejtët, as draftin përfundimtar. Memli Krasniqi e ka ruajtur atë privatësinë e takimit, në asnjë mënyrë s’e ka abuzuar, ka treguar vërejtjet e tij, ka thënë se është i pamjaftueshëm sepse ai ka qenë i vetmi nga PDK-ja që e ka parë”, është shprehur Ismaili në Rubikon në Klan Kosova.
Tutje, ai tha se plani franko-gjerman është i pamjaftueshëm në kuptimin se çka presin si shtet.
“Të gjithë e kanë quajtur një bazë të mirë për t’i dhënë mundësi dialogut, sepse ne të gjithë duam t’i japim mundësi dialogut për të arritur qëllimet e Kosovës”.
“Dhe, në kuptim të qëllimeve të Kosovës ka qenë i pamjaftueshëm dhe ne e kemi thënë këtë se është një bazë që ti fillon t’i vendosesh prioritetet tua, por si format është i pamjaftueshëm”, është shprehur Ismaili.