Ismaili i përgjigjet Bahtirit dhe Tahirit: Jeni të shqetësuar për veten e juve
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe ai i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, në një reagim të përbashkët kanë shprehur shqetësimin e tyre për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të spitaleve në këto dy komuna.
Në reagimin e dy kryetarëve thuhet se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po synon dëmtimin e sistemit shëndetësor.
“Qëllimi i PDK-së që përmes ministrit Uran Ismaili të vendosen në krye të Spitalit të Mitrovicës dhe të Spitalit të Vushtrrisë persona që janë anëtarë të subjektit politik PDK, apo edhe familjarë të tyre, e që nuk vijnë nga fusha e shëndetësisë, tregon se kjo parti ka qëllim primar kapjen e pozitave kyçe në shëndetësi dhe përmes tyre kontrollimin dhe presionin ndaj personelit shëndetësor”, thuhet në reagimin e kryetarëve.
Kryetarët e Mitrovicës dhe Vushtrrisë, përmes reagimit të tyre kanë kërkuar rishikimin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve.
“Personi i vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin e Vushtrrisë është asamblist i PDK-së dhe ish-drejtor komunal në dy mandate. Po ashtu edhe kandidatja e vlerësuar me më së shumti pikë për Spitalin në Mitrovicë është gruaja e këshilltarit politik të Kadri Veselit. Iu bëjmë thirrje institucioneve përgjegjëse, me theks të veçantë kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Kryetarit të Kuvendit dhe Presidentit që t‘i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për ta rishikuar rastin e konkursit për përzgjedhjen e dy drejtorëve të këtyre spitaleve”, thuhet në reagim.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili u është kundërpërgjigjur kryetarëve të komunave, duke thënë se konkursi është shpallur nga ShSKUK-ja dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë.
“Agim Bahtiri i AKR-së/VV-së dhe Xhafer Tahiri i LDK-së, në një reagim të përbashkët, paskan shprehur shqetësim e tyre për procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të spitaleve në Mitrovicë dhe Vushtrri, komuna që ata drejtojnë. Bahtiri e Tahiri paskëshin kërkuar anulimin e konkurseve, me arsyetimin se po tentohet të politizohen spitalet dhe të dëmtohet sistemi shëndetësor. Është e vërtetë që ata mund të jenë të shqetësuar. Mirëpo, jo për qytetarët dhe as për sistemin shëndetësor, por për veten e tyre. Kur flasin për “politizim” dhe “dëmtim të sistemit shëndetësor”, Bahtiri e Tahiri realisht mendojnë në “punët” që kanë bërë, e që do t’u ndërpriten, në komunat e tyre. Me reformat që kemi nisur në shëndetësinë kosovare – largohen të papërgjegjshmit që u shërbejnë klientelave dhe afrohen profesionistët që u shërbejnë qytetarëve. E di se kjo dhemb shumë. Sepse, për ata që kanë instaluar klientelizmin në qytetet e tyre, qoftë në spitalet rajonale, qoftë në shërbimet spitalore, prerja e rrënjëve të krimit – nënkupton dobësimin e tyre dhe forcimin e qytetarëve. Vizioni i PDK-së, të cilin unë si Ministër i Shëndetësisë jam duke e shtrirë me kënaqësi të madhe dhe vullnet të fortë gjithandej institucioneve shëndetësore, është ekskluzivisht për qytetarët. Sa për konkurset, ato hapen nga SHSKUK dhe jo nga Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Ismaili.
Ai ka shtuar se Bahtiri dhe Tahiri bëjnë mirë të mos përzihen në kompetencat e drejtorit të SHSKUK-së.
“Ky është presion që bëhet për t’i ruajtur interesat e tyre. Por, i siguroj që të dy, dhe këdo tjetër, se nuk do të ketë dorëzim në luftimin e krimit dhe në qëllimin e mirë që më në fund të kthehet mbarë shëndetësia. E dimë të gjithë rrëfimin për shëndetësinë e udhëhequr nga LDK gjatë mandatit të kaluar qeverisës. E kanë shtrirë atë përtokë. E di se do të marrë kohë për ta çuar në këmbë. Por, punët e mira kanë nisur dhe ato do të vazhdojnë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.
Ismaili ka thënë se është ndierë jashtëzakonisht i kënaqur me statistikat që tregojnë se me funksionalizimin 24-orësh të shërbimit të kardiokirurgjisë me kardiologji invazive, në kuadër të QKUK-së, është rritur dukshëm vëllimi i punës dhe janë shënuar rezultate në reduktimin e listave të pritjes. “Ndër të tjera, janë kursyer edhe 3 milionë euro”, ka thënë Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë.
/Epoka e re/