Ismaili pret në takim një delegacion të Thesarit të Bankës Botërore
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga ekipi i tij, mirëpriti në BQK një delegacion nga Programi i Partneritetit për Këshillimin dhe Menaxhimin e Rezervave (RAMP) të Bankës Botërore për diskutime mbi strategjitë e menaxhimit të rezervave dhe iniciativat për ngritjen e kapaciteteve.
Guvernatori Ismaili shprehu vlerësimin e sinqertë për vizitën e delegacionit të nivelit të lartë të Bankës Botërore, e cila ndodhi vetëm gjashtë muaj pas anëtarësimit në RAMP në tetor të vitit 2023.
Që nga anëtarësimi, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës tashmë ka përfituar dukshëm nga programi gjithëpërfshirës i RAMP-it për trajnim dhe ngritje të kapaciteteve. Guvernatori theksoi rolin vendimtar që luan ky program në rritjen e aftësive të Bankës Qendrore dhe sigurimin e praktikave efikase të menaxhimit të rezervave.
Për më tepër, guvernatori Ismaili nënvizoi përkushtimin e palëkundur të BQK-së për forcimin e Politikës së saj të Investimeve në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Guvernatori ritheksoi gatishmërinë e BQK-së për ta shfrytëzuar mbështetjen e ofruar nga programet e RAMP-it për ta arritur këtë objektiv në mënyrë efektive. Duke u përafruar me standardet më të mira, BQK-ja synon ta rrisë stabilitetin e saj financiar dhe të kontribuojë pozitivisht në forcimin e institucionit.
Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan edhe në progresin e arritur drejt investimeve të përgjegjshme mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG).
Guvernatori Ismaili theksoi përkushtimin e BQK-së ndaj këtij synimi, i cili është paraqitur dukshëm në Planin Strategjik të BQK-së. Duke integruar parimet e ESG-së në kornizën e saj të investimeve, BQK-ja kërkon ta nxisë zhvillimin e qëndrueshëm dhe t’i respektojë standardet etike në aktivitetet e saj të menaxhimit të rezervave.
Për më tepër, delegacioni do të kryejë një rishikim të portofolit, duke vlerësuar alokimin e aseteve, duke rishikuar qasjet e transhimit (ndarjen në këste) (ang. “tranching”) dhe duke diskutuar menaxhimin e likuiditetit. Për më tepër, do të ketë diskutime rreth strategjive të indeksimit dhe praktikave krahasuese të portofolit.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje për delegacionin e RAMP-it të Bankës Botërore për njohuritë e tyre të vlefshme dhe përpjekjet bashkëpunuese në avancimin e praktikave të menaxhimit të rezervave dhe iniciativave për ngritjen e kapaciteteve në Bankën Qendrore të Kosovës.
Shkëmbimi i frytshëm i ideve dhe ekspertizës gjatë takimit forcon edhe më tej partneritetin ndërmjet BQK-së dhe Grupit të Bankës Botërore, duke i hapur rrugën progresit të vazhdueshëm dhe suksesit në arritjen e objektivave të ndërsjella.