Ismaili priti kirurgët e Kolegjit Amerikan, nis bashkëpunimi për forcimin e Kirurgjisë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pritur në një takim Kirurgët e Kolegjit Amerikan.
Ismaili gjatë këtij takimi i ka njoftuar kirurgët amerikan për historinë e shtetit të Kosovës, nga lufta për çlirim, përpjekja për pavarësi e deri te sfidat e një shteti të pavarur.
Megjithatë temë kryesore e këtij takimi ishte sektori i shëndetësisë në Kosovë, me theks të veçantë Kirurgjinë.
Ministri Ismaili njoftoi kirurgët amerikanë për përpjekjet e mëdha që po bëhen për ngritjen e sistemit shëndetësor në Kosovë.
“Kemi nisur një seri reformash për të përmirësuar kushtet e profesionistëve shëndetësorë por edhe për të shtuar sigurinë dhe cilësinë e shërbimeve mjekësore. Profesionistëve shëndetësorë u kemi bërë pagat më të larta në rajon dhe përmes investimeve në aparatura dhe infrastrukturë, po u krijojmë atyre kushte që të maksimalizojnë potencialin profesional. Kështu po krijojmë shërbime shëndetësore më të mira dhe më të sigurta dhe ngadalë po e kthejmë edhe besimin e qytetarëve në Institucionet Publike Shëndetësore”, tha ministri Ismaili.
Në anën tjetër, presidenti i Kirurgëve të Kolegjit Amerikan, Ronald Maier, tha se ka mbetur i mahnitur me progresin që Kosova ka bërë pas luftës.
Ai përmendi entuziasmin e popullit të Kosovës, në veçanti të profesionistëve në sektorin e shëndetësisë, të cilët i quajti shumë të kualifikuar për të qenë katalizatorë të ndryshimeve pozitive.
Presidenti Maier tha se Kolegji Amerikan i Kirurgëve janë shumë të interesuar për të ndihmuar reformat në shëndetësinë kosovare, në veçanti Kirugjinë, ku ata mund të kontriubojnë me ekspertë dhe trajnime për edukim të vazhdueshëm për profesionistët shëndetësorë nga Kosova.
Kjo mbeti të jetë vetëm vizita e parë e kirurgëve amerikanë në Kosovë pasi që të dy palët u dakorduan që të nisin bashkëpunimin shumëvjeçarë për ngritjen e kapacieteve të Kirurgjisë në Kosovë. /