Ismaili: Projektin për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës e kam gati, përfundon deri më 2024

29 shtator 2021 | 12:57

Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se deri në vitin 2024 do ta përfundojë ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

Ai ka thënë se kjo është kërkesë e kamotshme e qytetarëve të Prishtinës dhe punën që ka nisur sa ishte ministër i Shëndetësisë për ndërtimin e këtij spitali synon ta përfundojë si kryetar i Prishtinës.

“Prishtina do të ketë një spital modern që është në gjendje të përmbushë nevojat dhe kërkesat shumëvjeçare të prishtinasve.”, ka thënë Ismaili.

Ai ka thënë se edhe plani i fizibilitetit është gati dhe dihet saktësisht se si do të duket spitali.

“Projekti është gati, plani i fizibilitetit është gati dhe spitali do të ketë: 200 shtretër, 4 dhoma të operimit, 54 dhoma të intervenimit dhe një kapacitet prej më shumë se 200 profesionistëve shëndetësorë”.

“Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës do të shkurtonte listat e pritjes për qytetarët e Prishtinës dhe do të përshpejtonte shërbimet shëndetësore për të cilat kanë nevojë qytetarët e Prishtinës”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka treguar se më 4 prill të vitit 2019, atë kohë si ministër i Shëndetësisë, kishte nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Si rezultat i kësaj ishte arritur që me ndihmën e ekspertizës gjermane të bëhet Studimi i Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve, si dhe është bërë hartimi i projektit detal për Spitalin e Prishtinës.

“Realizimi i këtij projekti që synon barazi e drejtësi për qytetarët ka qenë dhe mbetet njëri nga prioritetet e mia kryesore”, ka përfunduar Ismaili.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pagesa e dëmeve gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti…