Ismaili: Qeveria dhe ZRrE-ja të nisin urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka kërkuar nga qeveria Kurti dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) të ulin çmimin e energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës.
Ismaili, në një konferencë për medie ka thënë se faturat e dyfishuara ose të trefishuara mujore, apo edhe më të larta të energjisë që i kanë pranuar qytetarët gjatë kësaj jave, janë të padrejta dhe të papërballueshme.
“Andaj, është kërkesë imediate që qeveria, bashkë me ZRrE-në të fillojnë urgjentisht procesin e uljes së çmimit të energjisë elektrike, si dhe të mbahen përgjegjës para ligjit të gjitha akterët që kanë abuzuar me situatën në sektorin e energjisë. Sepse, vazhdimi i faturimit të energjisë me tarifat aktuale do të jetë rrënues për familjet në Kosovë”, ka thënë ai.
Sipas Ismailit, ngritja e çmimit të energjisë elektrike i ka vënë qytetarët para një vështirësie të madhe financiare, duke ua shpenzuar buxhetin familjar para festave dhe duke i futur në borxhe familjet kosovare vetëm që ta përballojnë muajin.
“Këtë muaj, pamë një politikë të qeverisë kinse për të ndihmuar qytetarët. Ato 58 milionë euro që u ndanë si subvencione nga Qeveria për fëmijë dhe pensionistë, po dëshmohet se në fakt kanë qenë mjete të ndara për KEDS-in. Qytetarët vetëm janë përdorur si ndërmjetësues në këtë transaksion të planifikuar. Faturat e stër-rritura të energjisë janë dëshmi e kësaj politike të dëmshme dhe manipuluese. Në kohën kur qytetarët e Kosovës, nën këtë qeveri, janë varfëruar edhe më shumë, me 19% te tyre nën pragun e varfërisë, ata po detyrohen të paguajnë edhe faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike”, ka thënë ai.
Ismaili ka rikujtuar i dy deklaratat kontradiktore të kryeministrit Kurti, atë të vitit 2015 se qytetarët më të varfër në Evropë po i paguajnë faturat më të shtrenjta të energjisë elektrike, si dhe atë të vitit 2022 se aq lirë ka qenë energjia elektrike sa qytetarët nuk e kanë ditur se sa paguajnë.
“Ani pse e kanë të njëjtin burim, këto dy deklarata shpërfaqin jo vetëm ndryshimin nga opozita në pushtet, por dhe qëllimin e kësaj Qeverie për të dyfishuar çmimin e energjisë për qytetarët e Kosovës. Pra, ekziston një përgjegjësi e drejtpërdrejtë qeveritare për situatën e vështirë në të cilën sot janë qytetarët tanë, të cilat vijnë si rrjedhojë e skandaleve dhe politikave të kësaj Qeverie në energji”, ka thënë ai.
Po ashtu, ai ka rikujtuar se me qeverinë Kurti në pushtet, ambasadori i Republikës së Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në skandalin më të madh rajonal të tregtimit të energjisë dhe shpëlarjes së parave, së pari është dyfishuar çmimi i energjisë, pastaj ka ndodhur edhe ngritja e dytë prej 15.4 për qind.
“Kjo qeveri, edhe pse sot çmimi i energjisë në bursën ndërkombëtare ka rënë nga mesatarisht 300 euro në vitin e kaluar, në 21 euro për megavat sot, prapë se prapë nuk e ka marrë asnjë vendim për të zbritur tarifat e energjisë për qytetarët tanë, por kanë mbajtur çmimet shumë të larta aktuale. Kjo qeveri i ka dhënë 113 milionë euro nga taksat tona për të paguar energjinë e serbëve në pjesën veriore të vendit. Kjo qeveri, nuk ka bërë asgjë për ndërtimin e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë. Përkundrazi, ajo ka hequr dorë edhe nga projekti i gazit amerikan, që do të ndihmonte shumë sigurinë energjetike të vendit, rrjedhimisht edhe ekonomitë familjare të Kosovës. Si përfundim, kjo qeveri, fatkeqësisht, nuk e ka as në temë, as në plan dhe as në agjendë mbështetjen e ekonomive familjare dhe prodhimit vendor energjetik. Barrën e energjisë elektrike të ngritur, do ta paguajnë edhe për një kohë të gjatë qytetarët e vendit tonë”, ka deklaruar Ismaili.