Ismaili: Rrëfimi i Kusari-Lilës para Radojçiqit për veteranët e UÇK-së, i pafalshëm

13 korrik 2023 | 10:46

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, zbardhjen e bisedës mes kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, dhe shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Slavko Simiq, ku ajo fyen Ismailin dhe akterë tjerë të PDK-së, e ka cilësuar si skandalin më të madh politik të pushtetit.

Ismaili në një konferencë për medie tha se këto incizime dëshmojnë bashkëpunimin e fshehtë të i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe.

“Dëshmohet qe ky pushtet ka komunikuar dhe është koordinuar me një njeri të kërkuar nga Policia e Kosovës dhe i ndodhur ne listën e zezë të ShBA-ve dhe Britanisë së Madhe, Milan Radojçiq. Dëshmohet bashkëpunimi i fshehtë i Lëvizjes Vetëvendosje me Listën Serbe, ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se s’kanë as koalicion e as bashkëpunim. Dëshmohet edhe një herë mendësia e këtij pushteti, që kurdo në çfarëdo rasti përqesh dhe denigron veprën e UÇK-së, por kësaj here para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit, duke u ankuar për veteranët dhe kërkesat e tyre. Ky është skandali më i madh politik i këtij pushteti. Ky bashkëpunim rreth çështjeve me rëndësi – siç është energjia në veri, zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, votimi kundër tërheqjes së parave të Trustit, të gjitha janë ose në koordinim me Milan Radojçiqin, ose me bekimin e tij”, theksoi Ismaili.

Ismaili kërkoi që kryeministri Albin Kurti dhe Mimoza Kusari-Lila të japin llogari para qytetarëve dhe para drejtësisë për këto deklarata.

PDK e konsideron të pamoralshme dhe të pafalshme njollosjen e veteranëve të UÇK-së nga Mimoza Kusari-Lila përballë përfaqësuesve të Listës Serbe.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është historia e lavdishme e kombit tonë dhe secili ushtar e ushtare meriton vlerësim të përjetshëm nga gjithë ne. Rrëfimi i saj para përfaqësuesit të Milan Radojçiqit për gjendjen dhe situatën me veteranët e UÇK-së, është i pafalshëm dhe denigrues për secilin qytetar.

Ismaili ripërsëriti kërkesën e PDK-së për zgjedhje të parakohshme, si e vetmja mundësi për të dalë nga kriza dhe stagnimi, që ka prodhuar Qeveria Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Portieri Samir Handanoviq është larguar nga klubi i Interit. 38-vjeçarit…