Ismaili: Stentohet pacienti i 1000-të, mbi 5 milionë euro kursime nga xhepi i qytetarëve
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive, është stentuar edhe pacienti i 1000-të brenda këtij viti.
“I lumtur dhe krenar që reformat tona në shëndetësi po japin rezultate. 74 vjeçarja nga Podujeva, Dinora Syla, u bë pacientja e njëmijtë e cila përfiton nga shërbimi 24-orësh kujdesin e zemrës dhe stentimin në QKUK. Para se të kthehet në familjen e saj pas një ndërhyrje të suksseshme, ajo ishte mirënjohëse ndaj infermiereve dhe mjekëve për shërbimin e mirë ndaj saj”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ismaili ka thënë se janë kursyer mbi 5 milionë euro nga xhepi i qytetarëve.
“Familje të shumta që kanë shpenzuar kursimet familjare Jashtë Institucioneve Publike, sot trajtohen pa pasur nevojë të presin dhe pa pagesë në Institucionet Publike. Me përkrahjen e duhur, mjekët tanë mund të bëjnë mrekulli në vendin tonë – e përkrahja nuk do t’ju mungoj”, ka shkruar Ismaili.
Gjatë këtij viti, në shërbimin 24 orësh për kujdesin e zemrës dhe stentimin në QKUK, janë realizuar edhe 1780 koronarografi dhe 153 operimi në zemër.