Ismaili takohet me Këshillin grevistë të punëtorëve shëndetësorë
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK) ka bërë me dije se në ditën e dytë të grevës së përgjithshme të punëtorëve shëndetësorë, Këshilli grevistë ka pasur një takim me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, në lidhje me situatën e re e cila është krijuar me rastin e mos përmbushjeve të premtimeve nga ana e Qeverisë.
“Nga takimi nuk kemi marrë as një premtim i cili do të ndikonte në ndërprerjen e Grevës. Duke u gjendur në situatë tepër të vështirë në të cilën më së shumti po pësojnë pacientët Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar takim urgjentë me Kryeministrin me qëllimin e vetëm që të gjendet një zgjidhje për daljen nga kjo situatë”, është thënë në komunikatën FSShK-së.
FSShK-ja ka apeluar në institucionet relevante që ta marrin seriozisht grevën, në të kundërtën kjo grevë dhe veprimet tjera sindikale do të vazhdojnë bazuar në vendimet e organeve më të larta të kësaj federate.
“FSShK-ja falënderon të gjithë punëtorët shëndetësorë të cilët po qëndrojnë stoikisht në grevë e në veçanti popullatën e cila deri në këto momente është duke na kuptuar. Në fund Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është shumë e vetëdijshme se po pësojnë pacientët dhe punëtorët shëndetësor por turpi dhe përgjegjësia mbetet te politik bërësit”, është thënë në komunikatën e kësaj federate.
/Epoka e re/