Kosova e Sllovenia me marrëveshje bashkëpunimi në shëndetësi
Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, gjatë vizitës zyrtare në Slloveni, ka zhvilluar edhe një takim me ministren e Shëndetësisë së Sllovenisë, Milojka Kolar Celarc.
Në këtë takim, ministri Ismaili e ka njoftuar ministren Kolar Celarc me punën dhe reformat të cilat po zhvillohen aktualisht në shëndetësinë kosovare.
Ministri Ismaili ka falënderuar Slloveninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe ka shprehur gatishmërinë e tij për ta forcuar këtë bashkëpunim edhe më tutje.
“Është një nderi madh të qëndrojmë në Slloveni. Kemi pasur një vizitë të shkëlqyeshme këtu. Kemi vizituar disa spitale, në mesin e tyre edhe Spitalin e përgjithshëm të Izolas me të cilin kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Ne jemi duke parë përpara për mundësitë e tjera të bashkëpunimit në fushën e sektorit shëndetësor”, ka thënë ministri Ismaili.
Ai ka theksuar më tej se në muajt që vijnë, do ta konkretizojnë bashkëpunimin institucional me Slloveninë prej të cilit do të përfitojnë të gjithë.
Nga ana e saj, ministrja sllovene ka thënë se Sllovenia do t’i ketë vazhdimisht dyert të hapura për bashkëpunim me Kosovën edhe në fushën e shëndetësisë.
“Jam shumë e lumtur që sot kam pritur ministrin e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës. Jemi njoftuar me gjendjen në shëndetësi në të dy vendet dhe jemi dakorduar për shkëmbim të përvojave dhe bashkëpunimit në këtë sektor. Kemi rënë dakord që të fillojmë angazhimin tonë konkret dhe kjo u pa edhe në nënshkrimin e marrëveshjes mes dy spitaleve tona të përgjithshme. Kemi rënë dakord që të nënshkruajmë edhe marrëveshje të tjera bashkëpunimi mes spitaleve tona”, ka deklaruar ministrja Celarc.
Ministrat Ismaili dhe Kolar Celars janë pajtuar parimisht për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në mes të dy ministrive, në fushën e edukimit dhe menaxhimit shëndetësor.