Ismaili themelon komitetin për revidimin e listës esenciale të barnave
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për themelimin e komitetit për revidimin e listës esenciale të barnave.
Sipas tij, ky vendim është nënshkruar në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet shëndetësore, shoqërinë civile dhe akterë të tjerë.
“Edhe një hap më afër revidimit të Listës Esenciale të barnave. Në bashkëpunim të plotë me të gjitha institucionet shëndetësore, shoqërinë civile dhe akterë të tjerë, sot nënshkrova vendimin për themelimin e komitetit teknik, që do ta bëjë revidimin e listës esenciale, e cila nuk është bërë nga viti 2012”.
“Për të qenë tërësisht transparentë, të gjithë hapat në këtë proces do të publikohen në uebfaqen e MSH-së, kurse për të shmangur çfarëdo konflikti të interesit, ne kemi ftuar Agjencinë Kundër Korrupsionit që të kontribuojë dhe të monitorojë revidimin e kësaj liste. Revidimi i Listës Esenciale të barnave do të bëhet gjatë këtij viti dhe në fund do të jetë një listë me kosto të përballueshme dhe që përmbush nevojat kryesore të popullatës”, ka shkruar Ismaili në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/