Ismaili tregon pse u prish koalicioni me Përparim Ramën
Ish-kandidati për kryetar nga radhët e PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, tha se partia e tij nuk mori pjesë ne seancën për Badovcin pa marrë parasysh “presionit politik e kërkesave”.
Ismaili i ftuar në Pressing në T7, tha se kryetari Përparim Rama nuk ka vepruar për t’i harmonizuar pikat me PDK-në sa i përket Badovcit.
“Nuk mundem me i thanë ekipit tem voto pa marrë parasysh çka bjen kryetari se tash ne atë e kemi kryetar, nuk është e dobishme ajo, as për demokracinë as për qytetin. Kuptimi i koalicionit është që ti e bën një bashkim e jeni të ndryshëm dhe formoni diçka të re. Erdhëm deri te një situatë që u fut edhe Badovci dhe natyrisht ne nuk morëm pjesë në seancë”, tha Ismaili në Pressing, transmeton Express.
“Ne nuk kemi marrë pjesë në atë seanca pa marrë parasysh presionit politik e kërkesave. Besoj jam politikani i parë që kam folë kundër ndërtimit në Badovc”, u shpreh ai.
Ai tha se drejtori i shkarkuar i PDK-së, Ilirik Musliu, as nuk është thirrur në telefon nga Rama.
“Dihet që drejtori që u shkarku Ilirik Musliu, kanë konstatu se është drejtori më dinamik që e kanë pas brenda qeverisjes. Mënyra si është bë e kam kuptu qëllimin, pra mos me u thirr fare në telefon, një njeri që ke punu dy vite me të e ke taku 12 orë me hëret edhe e ke lavdu në postim. Me vendos me shkarku flet shumë për karakterin dhe mënyrën si e trajton një bashkëpunetor”, tha ai.