Ismaili: Vitin tjetër nis ndërtimi i Spitalit të Prishtinës
Kuvendi i Kosovës të premten ka votuar Ligjin për Prishtinën, ku në këtë ligj parashihet edhe ndërtimi i Spitalit të kryeqytetit.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se ndërtimi i këtij spitali do të fillojë në vitin 2019.
“Planifikimin strategjik do ta bëjmë gjatë këtij gjashtëmujori, ndërsa sa i përket ndërtimit me siguri ajo do të vijë pas saj, që do të jetë për vitin e ardhshëm”, ka thënë Ismaili.
Ai ka thënë që së pari të bëhet studimi i fizibilitetit për nevojat reale të qytetarëve, dhe se spitali të jetë funksional dhe i kompletuar edhe me staf adekuat.
Ai ka shtuar se kjo duhet të bëhet që ndërtimi të mos zvarritet si në të kaluarën.
“Së pari të bëhet një studim i fizibilitetit dhe të dihet çfarë shërbime do të ketë në atë spital, sa do të jetë ai spital i madh, për çfarë pajisje ka nevojë, sa mjekë e infermierë do të jenë. Pra, të kemi një plan strategjik e të mos futemi në një projekt i cili pastaj zvarritet ose mbetet për kohë të gjatë”, ka thënë Ismail për “Ekonomia Online”.
Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë ka marrë përsipër planifikimin dhe dizajnimin e projektit, ndërsa komuna do të angazhohet fillimisht për ta gjetur lokacionin e përshtatshëm për ndërtim.
“Unë si ministër i Shëndetësisë do të merrem me planifikimin, dizajnin dhe të gjitha konceptet që vijnë, ndërsa komuna fillimisht do ta gjejë lokacionin”, ka deklaruar Ismaili.
Kurse në komunën e Prishtinës kanë deklaruar se mirëpresin bashkëpunimin me Ministrinë e Shëndetësisë për spitalin e Prishtinës dhe se pritet që të krijohen grupet punuese, në mënyrë që puna të mos vonohet.