Ismaili viziton të lënduarit nga aksidenti i sotëm në Gjilan, thotë se janë jashtë rrezikut për jetë
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar në Spitalin e Gjilanit të lënduarit e aksidentit me fatalitet që ndodhi sot gjatë ditës në këtë qytet, e ku mbetën të lënduar 27 persona e vdiq një.
“Sapo vizitova të lënduarit që janë të shtrirë në Spitalin e Gjilanit nga aksidenti fatëkeq që ndodhi sot atje. Gjendja e të lënduarve në këtë spital është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë”, ka shkruar Ismaili në një postim në “Facebook”.
Ai ka deklaruar se për momentin janë tre persona të lënduar të cilët po trajtohen për lëndime më të rënda në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po u jepet i gjithë trajtimi i nevojshëm.
“Falënderoj të gjitha ekipet mjekësore, sikur në Spitalin e Gjilanit por edhe në QKUK, të cilët që nga momenti që ka ndodhur aksidenti kanë qenë në gjendje gatishmërie për të ofruar të gjithë ndihmën e duhur. Mobilizimi do të vazhdojë deri në trajtimin e të gjithë të lënduarve nga ky aksident, qoftë edhe nëse paraqitet nevoja për dërgimin e ndonjërit prej tyre për trajtim jashtë vendit. Uroj që ky të jetë aksidenti i fundit dhe pamje të tilla të mos shohim më në rrugët e Kosovës”, ka shkruar Ismaili.