Ismaili, Zemajt: Të rritet urgjentisht numri i testimeve për Covid
Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, është ballafaquar sot në Komisionin Parlamentar me ministrin aktual, Armend Zemaj.
Ismaili e ka pyetur Zemajn për një sërë çështjesh.
Ai ka thënë se është dëshpëruese se si dy ministra të shëndetësisë nuk kanë arritur që të sigurojnë aparaturat e duhura për testim ndaj Covidit.
“Në kohën e Covidit prioritet i madh ka qenë testimi. Më herët 50 për qind i mostrave kanë rezultuar pozitiv. Po të kishim më shumë testime, do të kishte edhe më shumë të infektuar. Prandaj nuk kemi mundur ta menaxhojmë mirë këtë situatë sepse s’kemi pasur mjaftueshëm testime”, ka thënë Ismaili, duke shtuar se se rreziku është i madh që të ketë një valë të dytë të koronavirusit.
“Rreziku i valës së dytë është permanent, dhe nëse ne nuk i kemi aparaturat e duhura atëherë do të ballafaqohemi me probleme të shumta. Ju kisha lutë të jeni më vizionar rreth asaj se çfarë do të mund të ndodhë në nëntor ose tutje”, është shprehur Ismaili.
Më tutje, Ismaili ka ftuar ministrin Zemaj që të kujdesen më shumë edhe për personat të cilët e përfundojnë Covidin, pasi sipas tij, shumë prej tyre po kanë problem të ndryshme shëndetësore.