Ismajli: Halil Kqiku nuk ishte vetëm i Gjilanit e Anamoravës por i krejt Kosovës
Komuna e Gjilanit ka organizuar të dielën një mbledhje komemorative në nderim të veprës së veprimtarit të çështjes kombëtare, Halil Kqiku, e cila është mbajtur nën përkujdesjen e kryetarit, Lutfi Haziri.
Gjatë adresimit para të pranishmëve, nënkryetari i Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se veprimtari Kqiku nuk ishte vetëm i Gjilanit dhe Anamoravës por i krejt Kosovës. “Me veprimtarinë e tij të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut, ai do të mbetet përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tona. Familja Kqiku duhet të jenë krenar që e patën një atdhetar të madh në gjirin e saj, i cili dha shumë për këtë që po e gëzojmë sot. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tij”, ka thanë Ismajli.
Për veprën e Halil Kqikut ka folur edhe veprimtari Hysen Kqiku, i cili dha vlerësime të larta për të.
Ndërsa, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se në çdo ngjarje që ka ndodhur për lirinë e Kosovës, Halili i është përgjigjur pa hezitim. Në anën tjetër, vajza e Halil Kqikut, Rina, ka falënderuar Komunën e Gjilanit dhe të gjithë të pranishmit për nderimet që ia kanë bërë babait të saj.
Halil Kqiku është varrosur të dielën në varrezat e qytetit të Gjilanit.
/Epoka e re/