Ismajli i PDK-së: Faton Peci me parashikime sfidon Burdushin
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka deklaruar të premten se për herë të parë Kosova e pasluftës sivjet do të sigurojë bukën e motmotit pasi sipas tij korrje-shirjet po japin rezultate mahnitëse.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar Drejtori Ekzekutiv i PDK-së, Naim Ismajli.
Ismajli ka thënë se ministri Peci me parashikime të tilla është duke e sfiduar seriozisht Burdushin.
“Edhe kjo gënjeshtër për sigurimin e bukës për herë të parë në historinë e pasluftës ende pa i përfunduar të korrurat e grurit janë si parashikimet e Burdushit”, ka shkruar Ismajli në “Facebook”.
Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Ismajlit:
Sot Ministri Peci doli me një parashikim se rendimentet e grurit në Kosove do të sigurojnë bukën e motmotit, po citoj: “Falë Zotit Kosova siguron bukën e motmotit!”, ka shkruar Peci.
Kësaj propagande do t’ia kishte zili edhe Enver Hoxha për produktivitetin e kooperativave bujqësore.
Kjo gënjeshtër e radhës është shumë e ngjashme me gënjeshtrën për villen e Radojçiqit që ministri Peci thoshte se u negociua formimi i qeverisë në vitin 2017, në atë vilë, ndërsa vila është ndërtua në vitin 2022.
Edhe kjo gënjeshtër për sigurimin e bukës për herë të parë në historinë e pasluftës ende pa i përfunduar të korrurat e grurit janë si parashikimet e Burdushit.
Popullzimi i ministrit Peci reflekton paditurin dhe injorancën e skajshme të një ministri ku gënjeshtrën mundohet ta shet për të mirëqenë.