Ismajli i reagon Pecit për deklaratat fyese: Ministri ka për obligim të sqarojë se për kënd e ka fjalën

23 nëntor 2024 | 19:54

Drejtori Ekzekutiv i PDK-së, Naim Ismajli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka reaguar rreth deklaratave të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci i cili ka akuzuar PDK-në duke përdorë gjuhë fyese dhe etiketime si “vagabondë”, “haraqexhinj” dhe “fajdexhinj” për anëtarët e saj.

“Fillimisht, është e papranueshme që një zyrtar i lartë publik, si ministri Peci, të përdorë gjuhë fyese dhe etiketime si “vagabondë”, “haraqexhinj” dhe “fajdexhinj” për anëtarët e PDK-së. Kjo retorikë jo vetëm që është e papërshtatshme për pozitën që ai mban, por edhe dëmton komunikimin politik dhe publik”, ka shkruar në reagimin e tij, Naim Ismajli.

Reagimi i plotë:

Reagim ndaj deklaratave të ministrit Faton Peci në emisionin DPT Fidani (19.11.2024).

Në intervistën e tij në emisionin DPT Fidani, ministri Faton Peci bëri një deklaratë që nuk mund të lihet pa u adresuar. Kjo deklaratë, përveç që ngre shqetësime të mëdha, kërkon trajtim urgjent nga organet kompetente për të zbuluar të vërtetën dhe për të ndalur çdo përpjekje për keqinformim apo shpifje.

Fillimisht, është e papranueshme që një zyrtar i lartë publik, si ministri Peci, të përdorë gjuhë fyese dhe etiketime si “vagabondë”, “haraqexhinj” dhe “fajdexhinj” për anëtarët e PDK-së. Kjo retorikë jo vetëm që është e papërshtatshme për pozitën që ai mban, por edhe dëmton komunikimin politik dhe publik. Ministri ka për obligim të sqarojë se për kënd e ka fjalën dhe të japë emra konkretë. Nëse nuk e bën këtë, ai duhet të mbajë përgjegjësi para drejtësisë për këtë qasje të ulët dhe denigruese.

Më tej, ministri Peci i shmanget përgjegjësive të tij për akuzat e ngritura ndaj keqpërdorimeve të mundshme gjatë ndarjes së granteve në mandatin e tij. Në vend që të japë përgjigje për këto dyshime, ai bën akuza ndaj ministrave paraardhës për periudhën 2015-2017. Sipas tij, në atë kohë është blerë vetëm një traktor me vlerë 100 mijë euro, ndërkohë që dokumentet justifikonin blerjen e 33 traktorëve, duke sugjeruar një humbje prej 3.3 milionë eurosh. Për më tepër, ai pretendoi se i njëjti traktor është bartur nga një vend në tjetrin për të krijuar përshtypjen e blerjes së shumë traktorëve.

Nëse këto pretendime janë të vërteta, atëherë ato përbëjnë një skandal serioz dhe kërkojnë një hetim të plotë dhe të paanshëm nga institucionet përkatëse. Por, nëse ministri po përdor këto akuza si një manovër për të shmangur përgjegjësinë e tij dhe për të devijuar vëmendjen nga akuzat për ndarjen e granteve në mandatin e tij, atëherë ai duhet të mbajë përgjegjësi për shpifje dhe mashtrim të opinionit publik.

Për më tepër, ministri Peci, si përfaqësues i institucioneve të shtetit, ka detyrim ligjor dhe moral që çdo pretendim të tillë ta denoncojë në organet e drejtësisë. Nëse ai nuk e ka bërë këtë, ose nëse pretendimet e tij rezultojnë të pabazuara, atëherë do të detyrohemi të ndërmarrim hapa ligjorë për të mbrojtur të vërtetën dhe për të parandaluar mashtrimin e opinionit publik.

Ne i bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar këto pretendime dhe për të siguruar që secili individ, pa përjashtim, të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij, qoftë ky ministër apo zyrtar tjetër. Opinioni publik ka të drejtë të dijë të vërtetën dhe të mos manipulohet me deklarata boshe dhe shpifje politike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, nga…