Ismajli: Ibra më i forti
Spezia siguroi qëndrimin në Serinë A një javë para fundit të kampionatit dhe kontribut për këtë arritje të skuadrës modeste italiane ka dhënë edhe mbrojtësi i Shqipërisë, Ardian Ismajli, i cili ishte i ftuar në “Zona Gol”, në “SuperSport”.
“Spezia ka shkruar historinë në Serinë A pasi shumë njerëz në Itali kanë menduar se ne do të biem nga kategoria. Jemi përshtatur shumë shpejt e ky mendoj se ka qenë çelësi i suksesit për ne. Spezia është për herë të parë në histori në Serinë A dhe na duhen shumë përforcime që sezonin tjetër që të qëndrojmë në elitë. Do të kemi disa ditë pushim, do të grumbullohem me Kombëtaren e pastaj do të rikthehem te Spezia. Nuk është pak të vish nga Kosova të luash në Kroaci e më pas në Serinë A”, ka deklaruar ai.
Ismajli është përballur me shumë yje në Serinë A.
“Besoj se Ibrahimoviqi është më i rrezikshëm, edhe pse është në moshën më të madhe. Lukaku është një sulmues i fortë, ndërsa kundër Ronaldos nuk kam pasur shumë duele të forta. Ibra ka shumë përvojë dhe është i vështirë për t’u markuar”, ka shtuar mbrojtësi nga Kosova.