Ismaili kërkon çmime të njëjta për barnat e njëjta në të gjithë Kosovën
Ministria e Shëndetësisë ka organizuar debat publik për Udhëzimin Administrativ për rregullimin e çmimit të barnave dhe produkteve mjekësore, njofton kumtesa ministrore.
Në këtë debat i pranishëm ishte edhe ministri i shëndetësisë, Uran Ismaili.
Ai ka deklaruar se iniciativa për finalizimin e këtij dokumenti është i rëndësishëm për shumë arsye, por, më rëndësishmja, do të jetë ruajtja e buxhetit të shtetit dhe xhepit të qytetarëve.
“Të njëjta për barnat e njëjta në secilën barnatore, në të gjithë Kosovën, që t’u japim fund shpenzimeve shumë të larta të qytetarëve në blerjen e barnave”, ka thënë Ismaili.
Ai ka shtuar se Kosova është vendi i vetëm në Evropë, së bashku me Bjellorusinë, që nuk e kanë të rregulluar blerjen e barnave me çmime referente.
“Për ta ruajtur xhepin e qytetarëve, buxhetin e shtetit, dhe për ta hequr Kosovën nga kjo ‘listë e zezë’, në bashkëpunim të afërt me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, ne kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për rregullimin dhe unifikimin e çmimeve të barnave”, përfundoi Ismaili.
Drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës, Fatmir Plakiqi, tha se Fondi për Sigurim Shëndetësor aktualisht është duke punuar intensivisht në plotësimin e parakushteve të cilat janë të domosdoshme në mënyrë që të bëhet funksionalizimi i plotë dhe fillimi i reimburismit të barnave në Kosovë.
Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, përmes një prezantim tregoi mënyrën e zbatueshmërisë së këtij udhëzimi administrativ.
Përmes një lidhje me skype, foli edhe ekspertja e OBSh-së në Danimarkë Hanne Bak.
Ajo tha se janë të lumtur që po shohin progresin evident që po ndodhë në reformat shëndetësore në Kosovë.
“Ky është një dokument shumë i mirë që për qëllim ka të mbrojë qytetarët nga shpenzimet e larta financiare në blerjen e barnave”, tha ndër të tjera ajo.
Udhëzimi Administrativ, pas futjes në fuqi, do të rregulloj çmimet e të gjitha barnave: Atyre që janë në Listën Esenciale, atyre që do të jenë të reimbursuara nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor, si dhe, atyre që do të përshkruhen nga mjeku.