Ismajli në formacionin e javës në Seria A
Empoli fitoi në fundjavë 2-0 me Cremonese për javën e 15 të Serie A. Në këtë duel titullar ishte edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ardian Ismajli.
26-vjeçari zhvilloi një 90 minutash të shkëlqyer, duke merituar edhe vendin në formacionin e javës.
“SofaScore” e ka renditur shqiptarin mes 11 emrave më të mirë të javës së 15 në Serie A, duke e vendosur krah emrave si Kean, Dzeko, Calhanoglu, Elmas apo Kalulu. Në mbrojtje veç Ismajlit që ka notën më të lartë (7.8) është edhe Izzo i Monza dhe kolegu i tij te Empoli, Walwkiwicz.
Këtë sezon në Serie A Ismajli ka luajtur në 11 takime, duke qenë shtylla e mbrojtjes së Empolit. Paraqitjet e mira bënë që shqiptari të firmoste deri në verën e 2025 me klubin e Serie A, teksa vlera e tij në treg sipas transfermarkt është 2.2 milionë euro.