Ismajli nënshkruan letërpërkrahje bashkëpunimi me IOM-in
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka nënshkruar një letërpërkrahje bashkëpunimi me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Qëllimi i kësaj letre është të mbështesë kërkesën e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) në procesin e zbatimit të “EU Programit për Stabilizimin e Komuniteteve IV (EU CSP IV)”, në rrethinën e Shtimes.
Komuna e Shtimes ka një bashkëpunim të mirë me IOM-in në të gjitha aktivitetet e saj të mëparshme në të cilat në mënyrë direkte ose indirekte me zyrtarët e tij është përfshirë në përmbushjen e qëllimeve të përbashkëta të komunës ose qëllimet e programit të kësaj organizate.
Me këtë rast, kryetari Ismajli ka thënë se bashkëpunimi me IOM-in ka ndikim në zhvillimin komunal.
“Komuna e Shtimes ndan mendimin se programi i tillë ka një ndikim afatgjatë në zhvillim komunal në drejtim të stabilizimit ekonomik dhe të integrimit, me ndikim të drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës dhe për të nxitur një mënyrë të qëndrueshme të jetës në zonat e pakicave në Kosovë nëpërmjet gjenerimit të të ardhurave dhe mundësitë për zhvillimin e komuniteteve dhe të gjitha këto i mbështet plotësisht”, ka thënë Ismajli.
/Epoka e re/