Ismajli pëlqehet nga Beshiktashi
Ardian Ismajli ishte një nga emrat më të përfolur pas përfundimit të evropianit në mediat sportive, kjo jo për shkak të aktivizimit të tij në fushën e lojës, pasi ai nuk gjeti aspak hapësirë nga tekniku Sylvinho, por për deklaratën e ashpër të babait të tij, pikërisht për mosaktivizimin e tij në kombëtare gjatë evropianit.
Një prej mbrojtësve më të dalluar në Serinë A, sidomos vitin e shkuar, ngjasoi e gati e pabesueshme fakti që gjatë 3 sfidave në evropian ai nuk u preferua nga tekniku brazilian Sylvinho.
Megjithatë pas zhgënjimit në evropian, mbetet për t’u parë se cila do të jetë e ardhmja e Ismajlit. Gazetari i njohur italian Gianluca Di Marzio, ka publikuar së fundmi se për qendërmbrojtësin e kombëtares tonë, ka interesim nga klubi turk i Beshiktashit. Skuadra ku luajnë Rashica dhe Muçi, duket e “dashuruar” pas shqiptarëve dhe ka vendosur si objektiv për mbrojtjen pikërisht Ismajlin.
Në ditët në vijim padyshim do të mësohet më shumë për të ardhmen e Ismajlit me Di Marzion që pohon se shumë shpejtë pritet që drejtuesit e të dy klubeve të ulen në bisedime me njëra tjetrën për të folur për mundësinë e transferimit të Ismajlit tek gjigandët e Stambollit.