Ismajli thotë se komuna e Shtimes angazhohet për ambient sa më të pastër
Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, ka pritur në takim Dukagjin Hetemin, kryeshef i Kompanisë Regjionale të Pastrimit “Pastërtia” në Ferizaj, shoqëruar nga Osman Muharremi, përgjegjës i njësisë “Higjiena” në Shtime, Halil Halili, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike si dhe Lumni Amrushi, drejtor i Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Qëllimi i këtij takimi ka qenë informimi rreth grumbullimit të mbeturinave në komunën e Shtimes, ku ka pasur pajtueshmëri që kjo komunë të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve vepruese të kompanisë “Pastërtia”.
Kryetari Ismajli, ka thënë se janë zotuar që të menaxhojmë mbeturinat në mënyrë sa më të qëndrueshme. “Ne do të ndërmarrim hapat e nevojshëm për të investuar në mënyrë të planifikuar në sistemin e menaxhimit dhe se planifikimi i tillë do të përmirësojë gjendjen e menaxhimit të mbeturinave, dhe përfundimisht do të ndikojë edhe në gjendjen mjedisore në komunën tonë. Jemi duke bërë përpjekjet për të krijuar një ambient sa më të pastër për qytetarët tanë, mirëpo kjo mund të arrihet vetëm në bashkëpunim të plotë të gjithë akterët dhe qytetarët tonë”, ka thënë Ismajli.
Në këtë takim është vendosur që grumbullimi i mbeturinave në fshatin Pjetërshticë të fillojë më 31 janar, si dhe shumë shpejt do të përcaktohet orari edhe për të gjitha vendbanimet e tjera në komunën e Shtimes.
/Epoka e re/