Ismet Beqiri: Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka filluar takimet me strukturat e degëve të partisë.
Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri, kryetari i FRLDK-së, Fidan Rekaliu, deputetët Mirjeta Kalludra dhe Armend Zemaj, ishin të pranishëm në takimin e mbajtur me strukturat e degës së LDK-së në Klinë.
Sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, ka folur për gjendjen aktuale në Kosovë, duke ka shprehur qëndrimin e kësaj partie në lidhje me dialogun, formimin e Forcave të Armatosura dhe për zgjedhjet e reja.
Ai ka thënë se LDK-ja beson se çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm përmes dialogut.
Beqiri ka thënë se LDK-ja e mbështet dialogun dhe se tashmë ka formuar grupin punues për platformën e dialogut, i cili grup do të jep korniza të qarta se si të vazhdohet tutje me dialogun.
Beqiri ka shprehur gatishmërinë e LDK-së për zgjedhje të reja, në mënyrë që dialogu të udhëhiqet nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës dhe institucione legjitime të zgjedhura me votë të qytetarëve të Kosovës në zgjedhje të parakohshme.
Ai ka thënë se këto institucione e kanë humbur fuqinë politike dhe legjitimitetin qytetar.
/Epoka e re/