Ismet Krasniqi emërohet këshilltar i presidentes Osmani
Ismet Krasniqi, ish-sekretar i përgjithshëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës për afro 17 vite, është emëruar këshilltar i Presidentes Vjosa Osmani.
Përgjatë angazhimit të tij, Krasniqi është shquar për përkushtim e profesionalizëm.
Këshilltari Krasniqi ka qenë mbështetës profesional i të gjitha proceseve me rëndësi të veçantë për vendin tonë, duke filluar nga Pakoja e ish-presidentit Ahtisari, përgatitja profesionale e teknike për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë, angazhimi teknik në përcjelljen dhe kompletimin e dokumentacionit për nevojat e delegacionit tonë në GJND, si dhe përgatitjet për amendamentet kushtetuese.
Një kontribut të veçantë, Krasniqi e ka dhënë edhe në sigurimin e prezencës së komunitetit të donatorëve në Kuvend dhe pjesëmarrjes së shoqërisë civile në punën e Kuvendit.
Presidentja Osmani i ka uruar mirëseardhje Krasniqit dhe ka theksuar se angazhimi i tij është vlerë e shtuar për Kabinetin, ngase ai bart pas vetes një përvojë të gjatë institucionale e profesionale.