ISPE paralajmëron kallëzim penal ndaj ministrit Bytyqi
Kolegji ISPE ka publikuar letrën që do t’ia dërgojë Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe Asociacionit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) në lidhje me mosakreditimin e disa programeve të këtij kolegji, për të cilat ky kolegj fajëson Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA).
Në një konferencë për media, profesori i këtij kolegji, Avni Mazrreku, paralajmëroi kallëzim penal që do t’i bëhet nga ISPE ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Ai ka theksuar se Ministria e Arsimit që nga viti 2014 e ka lënë Agjencinë e Akreditimit pa një drejtor, por vetëm me ushtrues detyre.
Sipas Avni Mazrrekut, deklaratat e AKA-së rreth ndërhyrjeve të ISPE-së në Agjencinë e Akreditimit nuk janë të vërteta. Ai tregoi që një pjesë e kallëzimit penal ndaj ministrit Bytyqi do të bëhet publike gjatë javës së ardhshme, kur edhe do ta dorëzojnë atë.
“Ndërhyrjet që kanë thënë mediumet që ka bërë ISPE-ja nuk janë të vërteta. Një pjesë e kallëzimit penal ndaj ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, do të bëhet publike. Letra me ankesat e këtij kolegji do t’i dërgohen ENQA-s dhe EQAR-it më 22 gusht, tha ish-drejtori i ISPE-së”, Avni Mazrreku.
Për pasojat me të cilat mund të përballet Kosova pas kësaj ankese, sipas Mazrrekut, duhet të japë përgjegjësi vetëm ministri Bytyqi. “Deri më 22 gusht është koha kur do të dërgohet letra. Kolegji ISPE nuk do të marrë përgjegjësi nëse Kosova përjashtohet plotësisht nga EQAR dhe ENQA si pasojë e letrës sonë. Përgjegjësia bie ekskluzivisht mbi ministrin e Arsimit nëse largohet Kosova”, shtoi ai.
Ditë më parë, ministri Shyqiri Bytyqi akuzoi Kolegjin ISPE për presion dhe shantazh ndaj Ministrisë dhe Agjencisë së Akreditimit.