Istogu dhe Vushtrria kërkojnë kualifikimin në finale
Të martën dhe të mërkurën luhen ndeshjet e dyta dhe të fundit të gjysmëfinales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Të martën nga ora 17:00 takohen Istogu e Prishtina. Ndeshja luhet në palestrën “Dresha” në Orroberdë.
Kampioni aktual, Istogu, është pranë finales. E ka fituar ndeshjen e parë të luajtur në Prishtinë me rezultat bindës, 43:12. Si mysafir ka fituar edhe Vushtrria që të shtunën e mposhti Ferizajn me rezultat 27:24. Edhe ndeshja e dytë në mes këtyre dy skuadrave pritet të jetë me rivalitet dhe interesante.
Ndeshja Vushtrria – Ferizaj luhet të mërkurën nga ora 18:00 në palestrën “Jeton Tërstena – TOTA” në Vushtrri.
Skuadrat që janë më të suksesshme pas dy ndeshjeve kalojnë në finale të plejofit. Ndeshjet luhen pa shikues dhe duke respektuar të gjitha masat e kujdesit që janë paraparë në luftë ndaj Covid-19.