Istogu e kërkon suksesin e radhës në Kupat Evropiane
Në tri prej shtatë paraqitjeve të deritashme, KHF Istogu ka kaluar kundërshtar në garat evropiane. Këtë sukses skuadra istogase e hendbollisteve e kërkon edhe në fundjavë në Pejë.
Në kuadër të raundit të dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) për hendbolliste, kampioni i Kosovës, Istogu, përballet me skuadrën greke AESH Pylaia Thessaloniki. Klubet kanë arritur marrëveshje që dy ndeshjet të zhvillohen në Kosovë. Pasi palestra në Istog nuk është ende gati për ndeshje, istogaset do të luajnë në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Ndeshja e parë është të shtunën nga ora 19:00, ndërsa e dyta të dielën nga ora 19:00. Fakti se dy ndeshjet zhvillohen në Kosovë, e favorizon Istogun. Edhe përvoja në gara evropiane është në anën e skuadrës kosovare. Istogu pritet të ketë edhe përkrahje të madhe në tentim për të kaluar në raundin e tretë të Kupës Evropiane.