Istogu e mbyll sezonin vjeshtor me fitore
Hendbollistet e Istogut e kanë mbyllur me fitore bindëse stinorin vjeshtor në Superligën e Kosovës. Istogaset të dielën në Gjilan e mposhtën Dritën me rezultat 43:20, në ndeshjen e mbetur të javës së nëntë të Superligës.
Istogu është paraqitur pa katër lojtare të rëndësishme, që janë të lënduara, por arriti lehtë te fitorja. Elma Kameri ishte e pandalshme duke shënuar plot 21 gola. 11 gola i shënoi Pranvera Ferataj. Te Drita më efikasja ishte Bleona Rexhepi me 6 gola.
Istogu në këtë ndeshje ishte vendas, por në mungesë të palestrës në Istog dhe të terminëve në Pejë, ndeshja u luajt në Gjilan. Kështu Istogu e mbyll pjesën e parë të kampionatit në vend të parë me 16 pikë, sa i ka edhe Vushtrria. Të dy skuadrat kanë bilanc prej tetë fitore e një humbje. Vendet tre e katër i mbajnë Shqiponja e Kastrioti me nga 13 pikë kurse pas tyre është Prishtina me 12 pikë. Në pranverë pritet garë e fortë për titull të kampionit.