Istogu eliminon Shqiponjën, kualifikohet për herë të parë në finale
Istogu e ka fituar edhe ndeshjen e dytë ndaj Shqiponjës dhe për herë të parë do të luajë në finale të “play-off” në Superligën e Kosovës në hendboll (femrat).
Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të luajtur në Gjakovë, Istogu fitoi ndaj Shqiponjës me rezultat 31:25 dhe kështu siguroi finalen. Ndeshjen e parë të luajtur në Pejë, Istogu e kishte fituar me rezultat 35:26. Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, rezultati pas pjesës së parë ishte 17:13 për istogaset. Ujkiq me 8 gola ishte më efikasja te Istogu, ndërsa 7 gola i realizoi Ferataj. Nga 9 gola për Shqiponjën i shënuan Mehmeti e Nivokazi.
Istogu ka përfunduar stinorin e rregullt në vend të parë, ndërsa Shqiponja në vend të katërt. Kështu Kosova do të ketë një kampion të ri te hendbollistet. Shqiponja nuk do të mbrojë titullin e fituar vitin e kaluar.