Istogu fiton derbin e stinorit

26 shkurt 2025 | 23:17

Hendbollistet e Istogut e kanë fituar derbin e stinorit pranveror në Superligën e Kosovës.

Të mërkurën mbrëma në Banjë, Istogu fitoi ndaj Ferizajt me rezultat 29:27.

Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, ndonëse fillimisht istogaset e më pas edhe ferizajaset u shkëputën deri në tri gola.

Pas 30 minutave rezultati ishte 13:13.
Me të nisur pjesa e dytë vendaset nisën një shkëputje në rezultat, kurse ishin në epërsi 20:16 në minutën e 41-të. Shkëputja u bë edhe më e madhe ndërkohë, ndërsa Ferizaj u afrua në dy gola në fund, 29:27.

Astou Ndiyae i realizoi shtatë gola për Istogun. Sucacuexe Paulo Sebastiao i kishte gjashtë gola, ndërsa pesë i shënoi Lana Paviçeviq.

Salematou Camara i shënoi tetë gola për Ferizajn, ndërsa nga pesë i kishin Lorena Matarova e Elsa Kongjeli.

Ndeshja i takoi xhiros së dhjetë, përkatësisht të parës për stinorin pranveror.

Me fitore Istogu doli në vendin e parë me 16 pikë, sa i ka edhe Ferizaj në vendin e dytë.
Për Ferizajn ishte humbja e parë. Në xhiron e parë Ferizaj kishte fituar 33:31 ndaj Istogut.

Të mërkurën u luajt edhe ndeshja Kastrioti – Besa. Fitore 30:22 shënoi Kastrioti.
Nikelina Franca i realizoi 11 gola, ndërsa Bintou Oulare dhjetë.

Erda Macula ishte më efikasja te skuadra pejane me shtatë gola. Gjashtë i shënoi Edona Radoniqi.

Kastrioti është i treti me 12 pikë. Besa renditet e shtata me gjashtë pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati Ardian Bajraktari, ka reaguar lidhur me refuzimin e Gjykatës…