Istogu fiton Kupën e Kosovës për herë të pestë
Istogu ka dominuar në finale për ta fituar Kupën e Kosovës për herë të pestë. Madje gjithë trofetë i ka fituar në gjashtë vjetët e fundit. Të dielën në Prishtinë, Istogu në finale e mposhti Vushtrrinë me rezultat bindës, 32:21.
Istogu ishte bindës edhe në gjysmëfinale ndaj Ferizajt dhe kështu llogaritet favorit edhe për titull të kampionit. Në finalen ndaj Vushtrrisë, lojtaret istogase nisën herët shkëputjen në rezultat. Në minutën e nëntë rezultati ishte 5:1. Më pas epërsia ka shkuar duke u rritur dhe fitorja e Istogut nuk është rrezikuar asnjëherë. Albina Rugova ishte më efikasja tek Istogu me shtatë gola. Nga katër i shënuan Dajana Milaniq, Pranvera Ferataj e Dayane Da Rocha.
Tri gola i kishte Tainara Luna Goncalves, që u shpall MVP i turneut final të Kupës. Te Vushtrria, Burneta Rama i shënoi gjashtë gola, ndërsa nga pesë i kishte Kosovare Avdiu. Kupën, kapitenes së Istogut, Albina Rugova, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.