Istogu, fitues i Kupës në hendboll
Istogu ka vazhduar dominimin në garat për Kupën e Republikës së Kosovës në hendboll.
Skuadra istogase të dielen në finale të Kupës për edicionin 2018\19 e ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat 37:24. Ndeshja finale u zhvillua në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet në një atmosferë shumë të bukur, para rreth 1000 shikuesve. Lojtaret e Istogut kanë dominuar prej fillimit dhe herët kanë krijuar epërsi që ka shkuar duke u rritur thuajse vazhdimisht. Pas pjesës së parë rezultati ishte 20:13 për istogaset.
Istogu e kishte fituar Kupën edhe vjet, që ishte trofeu i parë për këtë skuadër. Sivjet e ka mbyllur stinorin e rregullt në vendin e parë dhe plejofin do ta nis si favorit. Pranvera Ferataj ka udhëhequr Istogun drejt fitores. Ajo ka shënuar plot 11 gola, kryesisht përmes kundërsulmeve të shpejta. Nga 7 gola i shënuan Elma Kameri, Suzana Ujkiq e Esma Muratoviq. Në nivel ishte edhe portierja Aurora Shehdadi e poashtu lojtaret tjera kanë dhënë kontribut drejt suksesit të madh.
Te Vushtrria e jashtëzakonshme ishte portierja Njomza Kelmendi që ka ndalur shumë goditje të Istogut. Por këtë herë nuk e kishte përkrahjen e duhur nga bashkëlojtaret. Më efikasja ishte Donita Kasumi me 7 gola.