Istogu, kampione e Kosovës në hendboll
Istogu është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave për edicionin 2018\19.
Istogu titullin e parë në histori të klubit e ka siguruar të shtunën në palestrën “Jeton Tërstena – Tota” në Vushtrri. Istogu e mposhti Vushtrrinë vendase me rezultat 28:26, në një ndeshje të fortë e dramatike. Për Istogun ishte kjo fitorja e dytë në finale të plejofit dhe kështu Istogut iu dorëzua Kupa e kampionit. Kupën kapitenes së Istogut, Albina Rugova, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Eugen Saraçini.
Istogu javë më parë fitoi edhe Kupën e Kosovës, ndërsa të shtunën është konfirmuar si skuadra më e mirë e këtij edicioni në hendbollin kosovar. Skuadra istogase kishte fituar kupën edhe para një viti, ndërsa tani i ka dhënë fund edhe pritjes për titull të kampionit.
Istogu të mërkurën në Pejë kishte fituar bindshëm ndaj Vushtrrisë, por të shtunën ndeshja ishte më e fortë. Vushtrriaset u mbajtën deri në fund, ndërsa pas pjesës së parë ishin në epërsi me rezultat 13:12. Por në minutat e fundit vendaset dështuan në disa aksione e në anën tjetër realizuan lojtaret istogase, për të shënuar fitoren përfundimtare të edicionit.E. Kameri me 8 gola ishte më efikasja te Istogu, ndërsa 7 i realizoi S. Ujkiq. U dallua edhe portierja A. Shehdadi me shumë pritje vendimtare.
Te Vushtrria prap në nivel të lartë ishte portierja Nj. Kelmendi, ndërsa më efikasja ishte A. Kelmendi me 8 gola.
Istogu kishte mbyllur stinorin e rregullt në vend të parë, ndërsa në gjysmëfinale të plejofit ka eliminuar Shqiponjën. Vushtrria e vendit të dytë në gjysmëfinale kishte eliminuar Prishtinën.
Ndeshja përfundimtare u luajt para afro 600 shikuesve.