
Istogu mposhti Vushtrrinë, Samadrexha fiton ndaj Kastriotit
Istogu ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.
Të shtunën mbrëma në Banjë, në kuadër të xhiros së 12-të, Istogu e mposhti Vushtrrinë me dhjetë gola dallim, 40:30. Lana Paviçeviq e Nihed Limem i shënuan nga nëntë gola për istogaset. Gjashtë i kishte Suzana Ujkiq.
Te Vushtrria nga gjashtë gola i shënuan Burneta Rama, Fetane Uzunlar e Sevdanur Ozkan. Istogu është lider me 20 pikë nga 11 ndeshje. Vushtrria renditet e gjashta me tetë pikë.
Fitore si mysafire shënoi Samadrexha, që mposhti Kastriotin në Ferizaj me rezultat 44:28. Arlinda Maloku udhëhoqi Samadrexhën me dhjetë gola, derisa nëntë i shënoi Natalija Milatoviq. Nikelina Franca ishte më efikasja te Kastrioti me 10 gola, ndërsa tetë i realizoi Bintou Oulare.
Samadrexha me fitore doli në vendin e katërt me 12 pikë. Në vendin e pestë ra Kastrioti, që po ashtu i ka 12 pikë.