Istogu nuk lejon befasi, fiton thellë ndaj Kastriotit
Kampioni në fuqi, Istogu, nuk ka lejuar befasi në ndeshjen e parë të xhiros së katërt të Superligës së Kosovës në hendboll në konkurrencën e femrave.
Të premten mbrëma në Banjë, Istogu fitoi bindshëm ndaj Kastriotit të Ferizajt. Rezultati në fund ishte 40:22 për istogaset.
Pritej ndeshje më e fortë dhe më e barabartë, marrë për bazë fillimin pozitiv të Kastriotit në Superligë.
Por istogaset shfaqën dukshëm më tepër duke fituar në fund me 18 gola dallim. Për Istogun ishte prova e fundit para ndeshjeve evropiane.
Lana Paviçeviq udhëhoqi Istogun me 10 gola nga 15 tentime. Shtatë gola nga nëntë tentime i kishte Nihed Limem. Nga gjashtë gola i kishin Suzana Ujkiq (6/8) e Astou Ndiaye (6/11).
Blerta Ahmetxhekaj i kishte nëntë pritje, ndërsa Viktorii Mykhailenko tetë.
Kastriotit nuk i kryen punë 12 pritjet e Edona Rugovës. Sia Celine Tolno i kishte 12 gola, por nga 21 tentime. Edhe efikasiteti i lojtareve tjera ferizajase ishte i ultë. Katër gola nga 13 tentime i realizoi Bintou Oulare.
Kastrioti e ka pësuar humbjen e parë pas dy fitoreve. Istogu tani i ka tri fitore e një disfatë.