Istogu për herë të shtatë në gara evropiane
Kampioni i Kosovës në hendboll, Istogu, për herë të shtatë rresht do të paraqitet në gara evropiane.
Istogaset në kompeticionet kontinentale kanë debutuar në edicionin 2017/18, atëbotë në Challenge Cup.
Në edicionin 2018/19 të Challenge Cup, kaluan me sukses kundërshtarin e parë, skuadrën italiane Cassano Magnago.
Në edicionin 2020/2021 të Kupës Evropiane, Istogu fillimisht e eliminoi Vushtrrinë. Më pas në raundin e tretë luajti dy ndeshje të forta me skuadrën bjelloruse, Victoria Berestie. Të parën e fitoi 33:30, por në ndeshjen e dytë i mungoi fati dhe pësoi 32:28. Fundi ishte dramatik, por Istogu megjithatë nuk avancoi.
Vjet Istogu u eliminua nga Çairi i Shkupit, ndërsa në fundjavë përballë do ta ketë skuadrën nga Portugalia, SIR 1Maio/ADA CJB. Istogu garon në raundin e dytë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) dhe të dy ndeshjet zhvillohen në palestrën “Karagaçi” në Pejë.
Istogu është detyruar të zhvendoset në Pejë për shkak se palestra në Istog është dëmtuar shumë. Është pritur që të renovohet gjatë verës, por kjo nuk ka ndodhur për fat të keq.
Ndeshjet e Istogut janë të shtunën e të dielën prej orës 18:00. Istogu synon tjetër sukses në garat evropiane.