Istogu regjistron fitoren e 22-të
Janë luajtur të shtunën katër ndeshje të xhiros së 22-të të Superligës së hendbollisteve. Është kjo xhiroja e fundit e pjesës së rregullt të garave.
Istogu ka vazhduar ecurinë pozitive, duke shënuar fitoren 22-të rresht. Istogaset fituan bindshëm ndaj Ferizajt me rezultat 42:19. Ndeshja e liderit me kampionin në fuqi u luajt në Ferizaj. Istogu në “play off” starton nga pozita e parë.
Ka bilanc maksimal, 22 fitore e 44 pikë. Në “play off” do të luajë edhe Ferizaj, që nis nga pozita e katërt. Pra këto dy skuadra do të takohen edhe në gjysmëfinale të “play off”-it. Dukshëm më tepër rivalitet kishte në Vushtrri, ku u takuan Vushtrria dhe Prishtina. Fitore me rezultat 27:26 shënoi skuadra prishtinase. Vushtrria në “play off” starton nga pozita e dytë, ndërsa Prishtina nga e treta.
Edhe këto dy skuadra takohen mes vete. Jusuf Gërvalla fitoi ndaj Kastriotit në Ferizaj me 25:23, kurse Shqiponja e mposhti KEK-un me 27:22.